Pyetjet më të shpeshta

A është e detyrueshme pjesëmarrja në takimet informative?

Pjesëmarrja NUK është e detyrueshme. Takimet organizohen me qëllim që komunat dhe institucionet lokale të njoftohen me qëllimet e Programit dhe mënyrat e identifikimit të nevojave në nivel lokal dhe rajonal.
Takimet organizohen në periudhën kohore të caktuar në thirrjen për pjesëmarrje.

Në takime a duhet të marrin pjesë vetëm përfaqësuesit e NJVL dhe Qytetit të Shkupit?

Jo. Do të ishte mirë që në takime të marrin pjesë edhe përfaqësues nga qendrat e punësimit dhe qendrat ndërkomunale për punë sociale, si dhe partnerët potencial të NJVL-ve dhe Qytetit të Shkupit të cilët do të përfshiheshin në realizimin e Programit: organizata joqeveritare, shoqata të qytetarëve, institucione shëndetësore, qendra ditore, azile për pleq dhe ngjashëm.

Si komunë e interesuar për pjesëmarrje në Program, a mund të kemi ndihmë të caktuar dhe/ose udhëzime gjatë kohës së përpilimit të Propozim – Programit?

Po. Gjatë kohëzgjatjes së thirrjes, me kërkesën e NJVL-ve të interesuara dhe Qytetit të Shkupit dhe institucioneve lokale, janë parashikuar takime pune me ekipin profesional të UNDP, në të cilat do të sigurohen informata plotësuese dhe udhëzime për zhvillimin cilësor të Propozim-Programit.

Komuna jonë, akoma nuk ka vendosur për cilat shërbime të paraqes Propozim- Program. A mund të na jepen udhëzime në cilat shërbime duhet të fokusohemi dhe çfarë lloji të aktiviteteve mbështet Programi?

Programi – Punë me dobi – komunale, nuk mbështet listë paraprakisht të përcaktuar të shërbimeve. Gjatë përcaktimit të prioriteteve, partnerët lokalë duhet të udhëhiqen nga specifikat lokale dhe nevojat e popullsisë. Prandaj, para përpilimit të Propozim-Programit duhet të paraprijë analizë dhe konsultime me të gjitha palët e interesuara në nivel lokal.
Komunat mund të presin mbështetje nga ekipi i UNDP në miratimin dhe zbatimin e Metodologjisë për krijimin e shërbimeve në funksion të individëve, shërbime të cilat do të ofrohen në mënyrë përkatëse konform nevojave të shfrytëzuesve të fundit.
Mbështetja sigurohet me kërkesë të komunës, me ç’rast bashkërisht përcaktohet vendi dhe data e mbajtjes së takimit.

Kush e përpilon Propozim-Programin?

Propozim-Programin e përpilon Komisioni komunal i përbërë nga përfaqësues të komunës, qendrës së punësimit dhe qendrës ndërkomunale për punë sociale.

Cili është afati kohor brenda të cilit komunat kanë obligim ta përpilojnë dhe ta paraqesin Programin për PDK?
Janë parashikuar 20 ditë pune për përpilimin e Propozim-Programit. Në këtë periudhë duhet të parashikohet kohë e mjaftueshme për analizë/hulumtimin e shfrytëzuesve potencialë, sa i përket vlerësimit të nevojave të tyre dhe gatishmërisë për të marrë pjesë në Program.
Çka duhet të përfshijë Programi?
Programi me propozim aktivitete duhet të përmbajë informata për shfrytëzuesit e fundit të Programit, arsyetim pse është zgjedhur pikërisht ai grup i shfrytëzuesve të fundit, cilat shërbime u nevojiten, cilat janë pritshmëritë nga realizimi i Programit (me Propozim-Programin a ofrohet mënyrë e re e përmbushjes së nevojave, ose sigurohet përfshirje më e madhe e shfrytëzuesve të fundit dhe ngjashëm). Në bazë të nevojave të përcaktuara dhe pritshmërive nga përmbushja e të njëjtave, përcaktohen pozitat e punës dhe detyrat e personave të papunësuar.
Njëkohësisht, Programi duhet të përmbajë edhe informata për profilin e personave të papunësuar në komunë, arsyetim për target grupin e zgjedhur të personave të papunësuar të cilët planifikohet të përfshihen me Programin, pritshmëritë dhe ngjashëm.
Para plotësimit të Formularit për aplikim a është e nevojshme të bëhet ndonjë analizë më gjithëpërfshirëse për gjendjen në terren (për shembull, numri i fëmijëve ose numri i nënave që do të pranojnë të përfshihen në Projekt dhe ngjashëm)?
Po, do të ishte mirë të bëhet analizë nga e cila do të fitohen informata për profilin e shfrytëzuesve të fundit, për shërbimet e nevojshme dhe për gatishmërinë e tyre që të marrin pjesë në Program. Gjithashtu, nevojitet të realizohet kontakt i drejtpërdrejt me target grupin e personave të papunësuar në mënyrë që të fitohen informata për nevojat e personave të papunësuar të cilët më vështirë mund të punësohen, pengesat me të cilat ballafaqohen, etj. Informatat e fituara nga kjo analizë i bashkëngjiten Programit të aktiviteteve të propozuara me Formularin për aplikim.
A duhet komuna të shpall konkurs për zgjedhjen e institucionit partner?
Nuk është e domosdoshme që komuna të shpall konkurs për zgjedhjen e institucionit partner. Nëse gjatë punës së deritanishme, komuna ka ndërtuar partneritet me një ose më shumë organizata/institucione në nivel lokal dhe nëse e njëjta korrespondon me natyrën e Projektit, atëherë mund të inkorporohet edhe në këtë Projekt.
Përfshirjen e organizatës partnere, komuna duhet ta theksojë në Formularin e aplikimit.
A duhet dhe kur duhet të përpilohet Memorandum për Bashkëpunim midis organizatave, përkatësisht institucioneve partnere, në nivel lokal dhe a ekziston formular për këtë?
Dokumentin, i cili e përshkruan partneritetin, komuna e dërgon bashkë me Formularin për aplikim.

Programi nuk parashikon dokument/formular model për Memorandumin e Bashkëpunimit.

Shfrytëzuesit e fundit të Programit dhe shërbimet të cilat ata i përfitojnë, a janë parashikuar në Programin për Punë të dobishme – komunale?
Shfrytëzuesit e fundit, të cilët i përfshinë Programi Punë me dobi – komunale, mund të jenë fëmijë të moshës parashkollore, persona të moshuar, persona të sëmurë dhe të pamundur, banorë të mjediseve rurale të cilëve u sigurohen shërbime shëndetësore dhe/ose arsimore, viktima të dhunës në familje, fëmijë pa prindër dhe pa kujdes prindëror, fëmijë nga familje me marrëdhënie të çrregulluara familjare, fëmijë me probleme edukative-sociale, persona me pengesa në komunikimin verbal, persona me autizëm, persona me shikim të dëmtuar, persona me dëgjim të dëmtuar, persona me invaliditet trupor, mendor dhe/ose me invaliditet të kombinuar, fëmijë dhe persona materialisht të pasiguruar, fëmijë dhe shfrytëzues të tjerë.
Shërbimet që do t’i përfitonin shfrytëzuesit e fundit, të cilat nuk i përjashtojnë edhe shërbimet e tjera, mund të jenë: kujdesi ditor, mbrojtja shëndetësore, këshilla dhe ndihma mjekësore, përfshirja në aktivitete sportive, të mësuarit e aftësive të punës, aktivitete të artit figurativ, muzikor dhe aktivitete teatrore, shërbime këshillëdhënëse për realizimin e të drejtave të caktuara, ndihmë për realizimin e obligimeve të përditshme dhe/ose obligimeve të tjera, arsim parashkollor dhe shkollorë më efikas dhe lloje të tjera të shërbimeve që do të identifikoheshin si të rëndësishme për shfrytëzuesit e fundit.
Kush e bën seleksionimin e Propozim-Programeve të paraqitura dhe si realizohet i njëjti?
Pas përfundimit të thirrjes publike, Trupi punues i përbërë nga përfaqësues të MPPS, APRM dhe UNDP e bën seleksionimin e Propozim-Programeve të paraqitura, konform kritereve të përcaktuara në udhëzimet operative, si Aneks 2.
Si pranohet informata për rezultatet e seleksionimit?
Pas realizimit të seleksionimit nga ana e Trupit punues, të gjitha komunave që kanë paraqitur Propozim-Program u dërgohet njoftim me shkrim.

Cilët persona të papunësuar mund të aplikojnë për pjesëmarrje në Programin Punë me dobi – komunale?

Të gjithë personat e papunësuar, të cilët janë evidentuar si kërkues aktiv të punës më së paku një ditë para shpalljes së konkursit dhe të cilët njëkohësisht janë pjesë të njërit prej grupeve vulnerabile të popullsisë, si vijon:
• presona të rinj deri në moshën 29 vjeçare me kualifikime të ulëta
• viktima të dhunës në familje
• fëmijë pa prindër dhe kujdes prindëror
• persona të pastrehë
• ish-përdorues të drogave
• prindër të fëmijëve në rrugë
• prindër të vetëm
• romë
• persona të dënuar pas daljes nga institucioni ndëshkues-korrektues
• persona të papunësuar të evidentuar në APRM më së paku 1 vit
• persona të papunësuar të rinj të evidentuar në APRM më së paku 6 muaj
• prindër të fëmijëve me pengesa në zhvillim
• prindër të 3 dhe më shumë fëmijëve

A do të ketë konkurs për angazhimin me punë të personave të papunësuar në kuadër të Programit Punë me dobi – komunale dhe ku do të publikohet i njëjti?

Po, ekziston konkurs për persona të papunësuar. Shpallja e konkursit është obligim i komunës dhe qendrës kompetente për punësim. Konkursi për angazhimin me punë të personave të papunësuar publikohet në tabelën e shpalljes të Qendrës kompetente për punësim, Qendrës ndërkomunale për punë sociale, të Komunës dhe në vende të tjera përkatëse sipas nevojës. Kohëzgjatja e konkursit për aplikimin e personave të interesuar të papunësuar zgjatë 10 ditë pune.

Çka nëse nuk paraqiten persona të papunësuar nga target grupet e cekura të cilët i kanë kualifikimet/arsimin/aftësitë e nevojshme?

Nëse nuk ka aplikuar person nga profili i nevojshëm brenda kohëzgjatjes së konkursit publik, APRM-QP bëjnë ndërmjetësimin e evidencës së personave të punësuar të APRM me ç’rast përparësi do të kenë personat e cekur si target grup në aplikimin e NJVL-ve të nënvizuara dhe Qytetit të Shkupit.

Cili është numri maksimal i personave të papunësuar të cilët mund të angazhohen nga ana e komunës, në kuadër të Programit?

Numri maksimal i personave të cilët mund të mbështeten në nivel të komunës është 15 persona.

Sipas ndryshimeve të Ligjit për mbrojtje sociale, personi përfitues i asistencës sociale në para mund të angazhohet 3 muaj brenda vitit kalendarik, të cilit gjatë kësaj periudhe kohore i pezullohet e drejta e shfrytëzimit të asistencës sociale në para. Për periudhë më të gjatë se 90 ditë personi e humb të drejtën e shfrytëzimit të asistencës sociale në para dhe ndëshkohet me 1 vit ndalim të përfitimit të asistencës sociale. Kjo a nënkupton se me përfshirjen e personave të grupeve vulnerabile, përfitues të asistencës sociale në para, se ata do ta humbin statusin e personit përfitues të asistencës sociale në para?

Jo. Përfituesit e asistencës sociale, gjatë kohëzgjatjes së angazhimit me punë, e ruajnë të drejtën e përfitimit të asistencës sociale.

Kjo theksohet edhe në Rregulloren e mënyrës së përcaktimit të gjendjes së të ardhurave, pronës dhe të drejtave pronësore të amvisërisë, përcaktimit të bartësit të së drejtës dhe dokumentacionit të nevojshëm për realizimin dhe përfitimin e të drejtës së asistencës sociale në para (“Gazeta Zyrtare e RM” nr. 54/13, 126/13 dhe 11/15), neni 2 nga i njëjti.

Personat e papunësuar të cilët do të angazhohen në këtë Projekt, a duhet të kenë arsim adekuat?

Po. Kualifikimet e nevojshme, njohuritë dhe aftësitë që duhet t’i posedojnë personat e papunësuar janë përcaktuar sipas specifikës dhe përshkrimit të detyrave të punës në Projekt.
Në këtë fazë është i domosdoshëm koordinimi edhe me të punësuarit në Qendrën kompetente për punësim dhe Qendrën ndërkomunale për punë sociale, të cilët mund të japin kontribut të madh në përcaktimin e kualifikimeve, aftësive, njohurive dhe përgatitjes për punë të personave të papunësuar të target grupit.

Për personat e papunësuar, të cilët do të angazhohen në Projekt, a parashikohen trajnime, këshillime ose kurse që do të organizoheshin para realizimit të Projektit?

Po, ekziston mundësia e këtillë.
Gjatë bisedimeve, të cilat mund të realizohen edhe gjatë përgatitjes së Formularit për aplikim, përcaktohet edhe nevoja e këshillimit paraprak, kursit ose trajnimit të personave të papunësuar.
Nevoja e këtillë duhet të specifikohet dhe parashikohet në Formularin e aplikimit.

Kur fillojnë aktivitetet për zgjedhjen e personave që do të angazhohen me punë dhe kur këta persona fillojnë me detyrat e tyre të punës dhe me punë në terren?

Zgjedhja e personave të papunësuar, të cilët do të angazhoheshin me punë bëhet nga lista e personave të papunësuar të cilët kanë paraqitur interesim për të marrë pjesë në Program dhe të cilët kanë aplikuar në konkursin e shpallur për persona të papunësuar.
Angazhimi me punë i personave fillon pas nënshkrimit të Marrëveshjes midis personave të zgjedhur të papunësuar dhe komunës.

Cila është procedura nëse personi i seleksionuar i papunësuar heq dorë nga angazhimi i tij i mëtutjeshëm në Program?

Nëse gjatë trajnimit fillestar personi i seleksionuar vendos të heq dorë nga angazhimi i tij, atëherë zëvendësohet me person tjetër, i cili i përgjigjet profilit të nevojshëm për realizimin e aktiviteteve të parashikuara.

Nëse gjatë kohëzgjatjes së shpalljes publike nuk paraqitet asnjë person nga ai profil, APRM-QP ndërmjetëson në evidentimin e personave të papunësuar në APRM, me ç’rast përparësi do të kenë personat e cekur si target grup në aplikimin e NJVL-ve të nënvizuara dhe Qytetit të Shkupit.

Cila është lartësia e kompensimit të personave që do të marrin pjesë në realizimin e detyrave të punës të parashikuara me Programin ?

Bruto kompensimi është 6.200,00 denarë, që e përfshin edhe pagesën e tatimit personal të të ardhurave dhe sigurimin në rast të aksidentit gjatë punës dhe sëmundjes profesionale.

Si dhe kush e bën pagesën e mjeteve?

Pagesën e mjeteve të personave e bën komuna në bazë mujore.

Comments are closed