Nëse nuk rrezikon, asnjëherë nuk do ta kuptosh se a do të kesh sukses

 

 

Kur bisedojmë me 30- vjeçaren, Qanie Selimi nga Tetova fitohet përshtypje se bisedojmë me një person me përvojë afariste, e cila e di se çka kërkon nga biznesi dhe ka plane të qarta për zhvillimin dhe sfidat me të cilat ballafaqohet për çdo ditë.

Ajo, tanimë dy vjet, e udhëheq Qendrën Edukative për Fëmijë “Rea” në Tetovë. Aktualisht, “Rea” funksionon në një hapësirë prej mbi 800 m2, përkujdeset për rreth 100 fëmijë të moshës 3-5 vjeçare për të cilët kujdesen 15 edukatore dhe dado të licencuara.

Qania është njëra nga kandidatet e suksesshme e cila e fitoi grantin nga Programi për Vetëpunësim në vitin 2013 dhe realizoi idenë e saj shumëvjeçare. Me përvojën e saj paraprake, si administratore në një shkollë për gjuhë të huaja, por para së gjithash si nënë e dy fëmijëve, për të cilët ajo kujdeset vet, vite me radhë ajo e ka pasur synim të ketë biznes personal edhe atë pikërisht në sferën e kujdesit të fëmijëve parashkollor.

________________________________________________________________________________________________

“Për Programin kuptova krejt rastësisht. Nga ueb-faqja samovrabotuvanje.mk (vetëpunësim.mk) i kuptova të gjitha informatat e nevojshme dhe atë që e mësova në mënyrë ideale përputhej me idenë time fillestare – menjëherë i planifikova ato 185.000 denarë, me sukses e kalova trajnimin dhe përfundimisht ëndrra ime u realizua. Me mjetet e grantit e rinovova hapësirën fillestare, shtruam pllaka të reja në dysheme dhe vendosëm instalim të ri elektrik, ndërsa me paratë e tjera u pajisa me mjete ndihmëse edukative për fëmijë. Përveç mjeteve financiare, ndihmë të madhe më ofroi edhe trajnimi – dëgjova dhe fillova të mendoj për punë për të cilat kur rrija në shtëpi as që mendoja se janë të rëndësishme për zhvillimin e biznesit personal.”

________________________________________________________________________________________________

Vetëm për një javë pas hapjes së qendrës së parë dhe vetëm me një postim në Facebook, menjëherë u paraqitën 15 fëmijë të cilët çdo ditë të javës qëndrojnë nga 5 orë me shokët e tyre dhe edukatoret. Impulset e para të banorëve të Tetovës , Qanies ia dhanë vetëbesimin e nevojshëm se është në rrugën e vërtetë.

“Gjithsesi se në fillim kisha frikë. Është normale, meqë çdo gjë nuk shkon edhe aq lehtë. Kam mbështetje të madhe nga familja ime, komuniteti, por më së shumti nga prindërit e fëmijëve. Ata na e dhuruan besimin që unë dhe ekipi im të kujdesemi për fëmijët e tyre, t’i shkëmbejmë përvojat, tua tregojmë planet tona, ata na i tregojnë mendimet e tyre…, me një fjalë me të vërtetë kënaqem në punën time.“

Qendra Edukative “Rea” sot është pioniere për një lloj të këtillë të përkujdesjes së fëmijëve në rajonin e Pollogut dhe është një dëshmi e vërtetë se me ide të mirëfillta por edhe me guxim që të rrezikohet, suksesi është vetëm rrjedhojë e logjikshme e fazës së ardhshme në zhvillimin e biznesit.

Megjithatë, kjo grua afariste, e cila është shembull, nuk ndalet këtu. Në procedurë e sipër është marrja e lejes për riregjistirmin e firmës në kopsht, i cili do të funksionojë nën ombrellën e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhe do të punojë sipas programit të miratuar parashkollor. Për vitin e ardhshëm, Qamilja planifikon një zgjerim më të madh, por tani në hapësira afariste personale. Aty do të ketë mundësi të përkujdesen më shumë fëmijë të cilët do të punojnë në më shumë grupe gjuhësore, por edhe të punësojë edhe së paku 10 pozicione plotësuese të punës. Nga ana tjetër, në periudhën e ardhshme ajo planifikon t’i përkushtojë më shumë vëmendje promovimit të Qendrës, me ç’rast thotë: “Vetëm në këtë mënyrë ndërtohet brend i mirë, me promovim dhe shërbim të mirë.”

“Me kënaqësi mund të theksoj se numri i aplikuesve çdo vit shënon rritje, ndërsa më së shumti na gëzon llojllojshmëria e biznes ideve. Çdo vit i inkurajojmë njerëzit të paraqiten, të marrin pjesë në trajnime dhe vet të shohin se a janë të përgatitur të zhvillojnë biznes ose jo.” – potencoi Tomisllav Trifunovski, udhëheqësi i Qendrës për Punësim në Tetovë.

Kah përfundimi i bisedës sonë, Lindita, Enisi, Joni dhe Naimi na i treguan vizatimet e tyre të fundit dhe të kënaqur na shpjeguan se si e kalojnë ditën. Ndërsa ne me Qamilen bashkërisht erdhëm në përfundim se Qendra Edukative “Rea” është një shembull i shkëlqyeshëm për bashkimin e biznes – idesë së mirë dhe të qëndrueshme me një menaxhment serioz dhe mbështetje institucionale.

Comments are closed