“Nuk është e drejtë të thuhet se nuk ka punë në këtë shtet. Njerëzit kanë shumë potencial i cili mbetet i pashfrytëzuar”, thotë Qerim Dauti dhe shton “ne duhet të tentojmë të krijojmë vende të reja pune dhe të gjejmë mënyra për t’i vënë në përdorim shkathtësitë që i posedojmë, dhe jo t’i braktisim vatrat tona dhe të kërkojmë punë jashtë vendit.”
Qerimi mund të flet nga përvoja e tij personale. Si shumë bashkëqytetarë të tjerë edhe ai njëherë e braktisi vendin dhe shkoi të gjejë punë larg shtëpisë. Ai për dymbëdhjetë vite jetoi në Australi dhe punoi në industrinë e ndërtimtarisë. Mirëpo edhe pse me sukses e kreu proçesin për marrjen shtetësisë australiane, Qerimi vendosi të kthehet në vendlindje, aty nga i ka rrënjët. Ai thotë: “Të nisësh gjithçka nga fillimi aspak nuk është lehtë. Në fillim kur u ktheva duhesha të punoj si taksi vozitës për të siguruar të ardhura. Në Australi pata përvetësuar shumë shkathtësi në zdrukthtari, mirëpo nuk kisha besim dhe njohuri për ta zbatuar atë këtu, andaj vazhdova të punoj joformalisht si zdrukthtar, por kjo nuk ofronte ndonjë qëndrueshmëri financiare dhe siguri.”
“Programi për vetëpunësim i ndihmon njerëzit të shfrytëzojnë shkathtësitë e tyre maksimalisht,” thotë Goran Jovanovski, Udhëheqës në sektorin për masa aktive për punësim pranë Agjensionit për punësim të Republikës së Maqedonisë dhe shton “Nëse e arrijmë atë qëllim, jo vetëm që do ta reduktojmë papunësinë, por njëkohësisht do ta ndihmojmë frenimin e largimit të resurseve njerëzore nga vendi.”
Sipas analizave të fundit, afërsisht 42% të të rinjve të moshës 19-27 vjeçare thonë se sipas të gjitha gjasave do ta braktisin vendin për të gjetur punë jashtë vendit, ndërsa 30% prej tyre thonë se do ta braktisin vendin përgjithmonë.
Qerimi, i cili i ka mbushur gjashtëdhjetë vjet dhe ka katër fëmijë, asgjë nuk do më së shumti sesa t’i ketë familjarët pranë vetes. Ai thotë: “Unë nuk dua që nipat e mi të emigrojnë për të gjetur punë, ashtu siç bëra unë. Do të bëj çmos, që ata të kenë perspektivë këtu. Prandaj edhe kam aplikuar për këtë program. Një mik i imi më tregoi për programin për vetëpunësim, që më tingëlloi si një mundësi e mirë për ta bërë më të qëndrueshëm zanatin tim si zdrukthtar dhe të kem punë më të rregullt. Ajo që kisha nevojë më së shumti ishte ndihma për t’i thelluar njohuritë e mija rreth planifikimit të biznesit. Mirëpo, punëtoria më ofroi diçka edhe më të rëndësishme, ajo më fuqizoi vetëbesimin për atë që mund të arrij.”
________________________________________________________________________________________________
Pjesëmarrësit në punëtori janë të drejtuar nga një ekip i trajnuesve ekspert përmes një proçesi që mundëson transformimin e ideve të tyre në plan të biznesit. Risto Ivanov, drejtues i ekipit të trajnuesve shpjegon: “Qëllimi jonë është që gjatë trajnimeve të këshillojmë secilin pjesëmarrës se si ta prezantojë idenë e tij për biznes dhe si ta paraqesë atë në formë të shkruar me qëllim që të vlerësohet zbatueshmëria e saj. Ne orvatemi që hap pas hapi t’ua përcjellim pjesëmarrësve përvojën dhe njohuritë tona gjatë proçesit për zhvillimin dhe avancimit e ideve të tyre biznesit. Prandaj, ne atyre ju japim ushtrime specifike, me qëllim që t’ju ndihmojmë t’i definojnë çështjet kyçe që kanë të bëjnë me biznesin. Këto janë metoda, të cilat ne i kemi hartuar posaçërisht për nevojat e personave të papunë.”
________________________________________________________________________________________________
Falë punës së mundimshme dhe përkushtimit të Qerimit, si dhe trajnimit për administrim biznesi që e ndoqi gjatë Programit për vetëpunësim, perspektiva e tij dhe e familjes së tij po përmirësohet gjithnjë e më tepër. Pas përfundimit të kursit, Qerimi e formalizoi veprimtarinë e tij si zdrukthtar, që tani më shndërrohet në biznes familjar. Tani edhe djali i tij si dhe reja e tij punojnë me të, madje ata presin që së shpejti të angazhojnë edhe dy punëtorë të tjerë.
Në zyrën e tij të posa rinovuar, të pajisur me ndihmën e grantit për vetëpunësim, Qerimi punon në disenjimin e produkteve të reja së bashku me të birin, i cili po ashtu është zdrukthtar profesionist.
Qerimi shpjegon: “Më parë, produktet e mia i shitja vetëm në tregun lokal. Mirëpo nga trajnimet mësova se si duhet planifikuar shitja dhe si të zgjeroj veprimtarinë time në tregje të reja. Tani më shesim në Ohër dhe Manastir, madje eksportojmë dhe në Tiranë dhe Zvicër. Shpresojmë ta rrisim shitjen edhe në vendet e BE-së. Nëse gjithçka shkon sipas planit, nuk do të kalojë shumë kohë derisa t’i angazhoj edhe nipërit e mi në biznesin familjar.”