Jelena Kostovska gjithmonë ka dashur që një ditë të bëhet disejnuese për veshje. Qysh ne moshën dhjetë vjeçare ka patur si ëndërr këtë profesion.
“Qysh e vogël e dija se ç’doja të bëhesha, ashtu që u regjistrova në shkollën profesionale të tekstilit, – thotë ajo – ndërsa pasi mbarova shkollimin, punova me dy disejnueset më të mira të vendit. Më pas fillova me shitjen e krijimeve personale nëpër butiqe të ndryshme.”
Tani më, në moshën tridhjetë e tetë vjeçare dhe nënë e dy fëmijëve, Jelena është shumë afër realizimit të ëndrrës së saj për të hapur një shtëpi të modës, biznes i cili do te sfidojë emrat e mëdhenj të modës ne vend.
Butikun e parë të saj Jelena e ka hapur shtatë vite më parë. Për këtë periudhë të jetës së saj ajo thotë: “Në atë kohë, u tregua që administrimi i biznesit ishte detyrë shumë e vështirë, për shkak se nuk kisha njohuri të mjaftueshme për segmentin financiar te biznesit. Nevojitej shumë më tepër mund dhe punë nga ajo që fillimisht pritja.”
Mirëpo, kjo gjë nuk e dekurajoi Jelenën. Përkundrazi, ajo me përkushtim vazhdoi punën e saj dhe kështu dita ditës fitonte një numër të madh klientësh të kënaqur dhe besnik. Duke parë që pengesë kryesore për biznesin e saj ishte kapaciteti i limituar i njohurive të saj për menaxhim, shpresat e saja për të zgjeruar biznesin filluan të veniten.
Mirëpo vitin e kaluar, rastësisht, ajo sheh një reklamë televizive në lidhje me programin për vetëpunësim, që ofronte pikërisht atë që i nevojitej asaj dhe kyçet në të. Merr pjesë në punëtoritë(trajnimet) dyditore që e ndihmojnë në zgjerimin e njohurive për planifikimin dhe administrimin e biznesit dhe më pas fiton një grant (ndihmë financiare), që do t’i shërbejë për të blerë pajisjet e nevojshme për të zgjeruar biznesin. “U interesova dhe kuptova që disa miq të mij veç më kishin marrë pjesë në këtë lloj programi dhe ishin shumë të impresionuar. Ashtu që aplikova dhe unë dhe u përzgjodha për të marrë pjesë në këto trajnime,” shtoi Jelena.
Skema e trajnimeve në kuadër të programit për vetëpunësim zbatohet në nivel nacional dhe është e hapur për çdo person të papunë që ka një ide të qartë dhe të realizueshme për të themeluar kompani të veten. Të gjitha aplikimet për trajnime vlerësohen nga Komisioni i Ekspertëve . “Proçesi i përzgjedhjes është kyç, për shkak se secili plan për biznes (plan afarist) që dorëzohet në këtë fazë, patjetër duhet të paraqesë mundësi reale për sukses,” thekson Marjan Stojçev, anëtar i komisionit dhe shton: “gjatë proçesit te vlerësimit merren parasysh shumë faktorë dhe kritere. Ne, si njerëz të biznesit, natyrisht që dëshirojmë të inkurajojmë sipërmarrësinë. Prandaj më së shumti kënaqemi kur shohim se një plan biznesi shndërrohet në biznes të suksesshëm. Mirëpo, ne duhet objektivisht të vlerësojmë rreziqet si dhe e mundesinë që një plan biznesi të bëhet biznes i suksesshëm. Prandaj do t’i kisha këshilluar kandidatët që të jenë sa më realistë në aplikimet e tyre dhe të mos dekurajohen nëse dështojnë në tentativën e parë – pasi gjithnjë ka ndonjë program tjetër dhe mundësi tjetër për ta rishqyrtuar idenë e tyre fillestare.”
Aplikantët e suksesshëm marrin pjesë në trajnime intenzive dyditore të organizuara nga Qeveria dhe UNDP-ja, për t’ju ndihmuar kandidatëve në zhvillimin e ideve të tyre për biznes.
________________________________________________________________________________________________
Jelena thekson: “Trajnimet vërtetë më përforcuan vetëbesimin, në veçanti pjesa që trajton planifikimin dhe menaxhimin financiar. Trajnuesit bënë çmos që gjithçka të duket më e thjeshtë dhe më e pranueshme. Mendoj se çdokush që ka një ide të mirë, me vullnet dhe vendosmëri për të përmbushur këtë projekt, do të jetë në gjendje të realizojë idenë e tij dhe të arrijë sukses për një periudhë të shkurtë kohore.”
________________________________________________________________________________________________
Në fund të punëtorisë, trajnuesit me kujdes vlerësojnë çdo ide biznesi dhe identifikojnë ato ide të cilat kanë potencial të shndërrohen në biznes të suksesshëm. Risto Ivanov, drejtuesi i ekipit të trajnuesve deklaroi: “Në momentin kur vendosim se cilat ide biznesi duhet të kalojnë në fazën tjetër, marrim parasysh shumë faktorë, duke filluar nga parashikimet e rentabilitetit, aftësia për udheheqjen e biznesit si dhe përvojën e punës së secilit kandidat përkatës. Siç e dimë të gjithë, suksesi i një biznesi kushtëzohet nga shumë elemente dhe përbërës të ndryshëm.
Ato kandidatë, idetë e të cilëve miratohen në fund të trajnimit, mbështeten më tutje në fazën e përpilimit të planeve të biznesit. Pjesë e rëndësishme e kësaj është dhe mbështetja financiare me të cilën mbulohen shpenzimet për regjistrimin e kompanive. Kandidatët të cilët regjistrojnë kompani, në planet e biznesit elaborojnë hollësisht prokurimet që do t’i realizojnë nëpërmjet grantit me vlerë prej 3000 euro.
Jelena ishte njëra ndër kandidatët, planet e të cilëve ishin miratuar. Tani më, me optimizëm dhe vetëbesim maksimal, ajo fillon me zbatimin e shkathtësive të fituara menjëherë pas përfundimit të kursit.
Ajo tha: “Me ndihmën e mjeteve financiare nga granti, mu dha mundësia të filloj me punë menjëherë. Bleva dy makina qepëse, një kompjutor dhe një foto kamerë. E pajisa punëtorinë me kondicioner të ajrit, një tavolinë pune dhe mobiljeri për zyrë. Njëkohësisht, i dhashë rëndësi dhe marketingut, kështu që shtypa kartela biznesi, fletushka dhe posterë të modës, logo për kompaninë dhe pano reklamuese me qëllim tërheqjen e sa më shumë klientëve. Mendoj se ky program ofron një mundësi të mrekullueshme fillestare për secilin individ që ka shpirt afarist.”
Qëllimi kryesor i programit për vetëpunësim është zvogëlimi i papunësisë përmes themelimit të bizneseve të vogla, të cilat njëkohësisht do të ofrojnë të ardhura për sipërmarrësit e rinj si dhe për personat, të cilët ata do t’i punësojnë.
Menka Gugulevska, Këshiltar në qendrën për punësim-Shkup deklaron: “Është ndjenjë e mrekullueshme të shohësh se si rritet dhe prosperon një kompani e themeluar me mbështetjen e këtij programi. Qysh në fazën fillestare të projektit disa kandidatë shfaqin potencial të madh për sukses si dhe kapacitet për t’i zhvilluar kompanitë e tyre në sipërmarrje të mëdha dhe të bëhen punëdhënës të suksesshëm për të tjerët.”
Biznesi i Jelenës është një shembull i mirë. Si rezultat i programit ajo veç më e ka angazhuar një punëtore: “Tani e tutje planifikoj ta avancoj kompaninë në një shtëpi të madhe të modës, e cila do të mund t’ju konkurrojë për nga cilësia dhe çmimet shtëpive të tjera të modës, që veç më operojnë në treg,” theksoi ajo.