“Njerëzit nuk duhet të mendojnë se programi synon t’ju ndihmojë njerëzve të hapin biznese vetëm në vendet urbane, sepse zvogëlimi i papunësisë në mjediset rurale është një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë dhe UNDP-së,” deklaroi Violeta Dimitrievska, Drejtues i Sektorit për masa aktive për punësim pranë Agjencionit për punësim të RM-së.
Për shkak të numrit të madh të papunësisë në këto rajone, nivelit të ulët të arsimimit dhe mospasjes së kualifikimeve përkatëse, si dhe për shkak të dominimit të veprimtarisë joformale bujqësore, mjediset rurale janë në fokus të veçantë të Programit për Vetëpunësim. Gjithashtu hulumtimet e fundit bëjnë me dije se rreth 47% të numrit të përgjithshëm të forcës punëtore në bujqësi është punë e papaguar.
________________________________________________________________________________________________
Violeta thekson: “Zyrtarisht, pothuajse një e pesta e forcës punëtore është e përfshirë në bujqësi. Bujqësia gjithnjë ka shërbyer si amortizues i ndryshimeve socio-ekonomike dhe strukturore të ekonomisë.”
________________________________________________________________________________________________
Në periudhën mes viteve 2008–2011 Programi për Vetëpunësim ka mundësuar regjistrimin e 479 bizneseve ne sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe sektorin e peshkimit.
Hysni Demiri nga fshati Zhelinë, rrethina e Tetovës, qysh si fëmijë është marrë me prodhimin e qumështit. Ai shpjegon: “Familja ime gjithnjë ka poseduar lopë, dhe unë hoqa dorë nga shkolla vetëm për t’ju ndihmuar atyre. Unë e dua këtë punë, ajo është traditë e jonë familjare.”
Përkundër përvojës dhe shkathtësive të Hysniut, biznesi i prodhimit e shitjes së qumështit ka pësuar ndryshime, ashtu që blegtorët si ai dhe familja e tij u ballafaquan me sfidën e formalizimit të biznesit të tyre. “Meqenëse ne nuk ishim kompani e regjistruar, nuk mundnim t’ua shesim qumështin kompanive që merreshin me prodhimin e produkteve të qumështit, andaj formalizimi i biznesit ishte arsyeja kryesore që vendosa të aplikoj në këtë program,” deklaron Hysniu.
Nga viti 2008 mbi 1000 biznese janë regjistruar përmes programit të UNDP-së për formalizim të bizneseve. Rreth 300 prej tyre janë formalizuar në vitin 2012 përmes komponentës për formalizim të Programit për Vetëpunësim.
Regjistrimi i kompanisë personale i mundësoi Hysniut të shesë qumështin e tij në kompaninë HIT Dairy 73, nga fshati Kamjan i Tetovës. Tani biznesi i tij familjar jo vetëm që është i rregulluar dhe po mbijeton, por me mesatarisht 130 litra qumësht në ditë ai mund të fillojë të bëjë plane për zgjerim të biznesit.
Biznes plani i Hysniut përfshinte investime në tokë shtesë dhe më shumë pajisje. Pas punëtorisë, ai me sukses e dorëzoi propozimin për mjete financiare për të blerë makineri dhe spërkatëse. Me pajisjet e reja dhe me njohuritë e reja për të drejtuar biznesin, Hysniu beson për një të ardhme më të mirë dhe ka mendim shumë pozitiv për programin. A thotë: “Shumë gjëra që kam mësuar gjatë kursit kanë qenë plotësisht të reja për mua. Tani gjithçka që di në lidhje me biznesin, është falë pjesëmarrjes sime në kurs.”